RTK dhe IOM nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi çështjet e migracionit dhe luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Përmes kësaj marrëveshjeje, RTK dhe IOM do të bashkëpunojnë në shpërndarjen e materialeve informuese dhe edukative në platformat e RTK-së, duke përfshirë televizionin, radion, faqen zyrtare dhe rrjetet sociale.

Qëllimi kryesor është që përmes fushatave të përbashkëta, të informohen të gjitha komunitetet në Kosovë dhe diaspora për rreziqet e migracionit të parregullt dhe trafikimit, si dhe për të promovuar migrimin e sigurt dhe të rregullt.

Marrëveshja parasheh gjithashtu shkëmbim informacioni, bashkëpunim teknik në projekte të përbashkëta, si dhe aktivitete për matjen e ndikimit të fushatave informuese.

Dokumenti është nënshkruar nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, dhe Shefja e Misionit të IOM në Kosovë,  Anna Rostocka.

Ky bashkëpunim forcon rolin e RTK-së si media publike në shërbim të qytetarëve, duke mbështetur informimin dhe edukimin për tema me rëndësi sociale.


Go to TOP