Thirrje për vlerësim dëmesh nga breshëri në Rahovec

Komuna e Rahovecit njofton se gjatë ditës së djeshme, disa zona të territorit të kësaj komune janë goditur nga reshje të fuqishme të breshërit, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në kultura bujqësore. Kjo komunë u ka bërë thirrje për paraqitje të kërkesave për vlerësim fermerëve të zonave të prekura.

Sipas njoftimit, sot, zyrtarët komunalë kanë realizuar një vizitë në terren për të vlerësuar gjendjen dhe përmasat e dëmeve.

Sipas tyre, epiqendra kryesore e dëmeve është fshati Sapniq, ndërkohë që dëmtime të tjera janë raportuar edhe në disa zona përreth.

“Bazuar në gjendjen e konstatuar në terren dhe në përputhje me Rregulloren Nr. 17/2015 për vlerësimin e dëmeve në bujqësi, Drejtoria për Bujqësi u bën thirrje vetëm fermerëve që kanë parcela bujqësore në zonat e mëposhtme që të paraqesin kërkesë për vlerësim të dëmit:

Zona mes Fortesës dhe Xërxës, pjesa e sipërme në drejtim të fshatit Sapniq – përballë “M&S Silosi”, vendi i quajtur Brija;

Fshati Ujz – pjesa nga rruga e asfaltuar deri në lumin Drini i Bardhë;

Fshatrat Gexhë dhe Radostë – zona nën hekurudhë deri te shtrati i lumit Drini i Bardhë;

Fshati Ratkoc – përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë, si dhe zona në drejtim të fshatit Doblibarë”, thuhet në njoftim.

Afati për dorëzimin e kërkesave fillon nga data 6 gusht deri më 13 gusht 2025. /Kosova.info/


Go to TOP