Tre skenarët për 8 gusht
Shkruan: Kadri KRYEZIU
Kam marr shumë pyetje rreth vendimit të mundshëm të Gjykatës Kushtetuese, si nga ju që më ndiqni këtu e po ashtu edhe nga mediat.
Ky është një rast i mirë t’i përkujtoj të gjithë që as unë dhe as Enver Hasani (falë Zotit) nuk jemi më pjesë e Gjykatës Kushtetuese. Pra, mendimet tona nga jashtë janë thjesht mendime personale, pa ndonjë peshë të veçantë, sepse, sot, ne jemi vetëm qytetarë të thjeshtë, dy pleq që kanë shumë kohë të lirë.
Mendimi i vetëm që vlen është ai i përbërjes aktuale të Gjykatës Kushtetuese, një kolegj tejet profesional dhe intelektualisht shumë i guximshëm.
Gjithsesi, në respekt të pyetjeve tuaja, do të japë disa skenarë të mundshëm.
Skenari 1, në mendimin tim, më racionali i mundshëm, është vendimi me të cilin Presidentes së Republikës i njihet e drejta të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në një arsyetim të ngushtë, Gjykata do të mund të argumentonte që moskonstiuimi i Kuvendit është duke e pamundësuar zgjedhjen e Qeverisë, si një proces tejet i rëndësishëm që, në rast të dështimit, me automatizëm e çon vendin në zgjedhje. Në një arsyetim më të gjerë, Gjykata mund të argumentojë që moskonstituimi i Kuvendit është duke e pamundësuar funksionalizimin e shtyllës kryesore të pushtetit politik të Republikës sonë, dhe se kjo gjë ka efekt negativ domino mbi të gjitha institucionet, proceset dhe veprimet tjera, rrjedhimisht moskonstituimi i Kuvendit është duke penguar funksionalitetin e vetë Republikës.
Tani, dikush atje mund të thotë që kjo gjë është njëfarë plotësimi i Kushtetutës. Qëndron si argument, por po të njëjtit duhet t’ia përkujtojnë vetes që Kushtetuta tashmë është plotësuar dhe atë disa herë, duke filluar që nga viti 2011, prandaj edhe jemi ku jemi.
Skenari 2, në mendimin tim, diçka jo fort gjë e mirë, është vendimi ku Gjykata gjen ndonjë justifikim për ta resetuar afatin 30 ditor.
Ky është një veprim që ia kthen topin legjislaturës aktuale, por paksa e dëmton seriozitetin e vendimeve të Gjykatës.
Skenari 3, në mendimin tim, më i keqi, është vendimi ku e drejta për nominim të Kryetarit kalon nga një grup parlamentar te tjetri.
Edhe pse kjo gjë është një manovër e logjikshme, është ligjërisht e pamundur, sepse thjesht, në mes të garës, nuk mund të ndryshosh rregullat e lojës.
Këto ishin skenarët që unë i parashoh, dhe po e përsëris, këto mendime janë tërësisht të parëndësishme kundruall mendimit të vetë Gjykatës.
Duke e njohur përgatitjen profesionale, intelektuale dhe kombëtare të shumicës prej gjykatësve në këtë Gjykatë, jam i bindur që vendimi i tyre do ta nxjerrë Republikën tona nga paqartësia e paprecedentë juridike ku na ka futur Enver Hasani, fatkeqësisht edhe me ndihmën e heshtjes time, si mungesë e asokohshme e guximit intelektual për të ndalur manitë dhe planet e tij të errëta.
Gjithsesi, çfarëdo qoftë zgjidhja jam i bindur që, para qytetarëve e votuesve të vendit tonë, kjo legjislaturë e ka humbur kredibilitetin. Në mendimin tim, si qytetar e votues i thjeshtë, zgjedhjet janë e vetmja formë për ta rivendosur besimin.
