Abdixhiku: Sunny Hill është pasaporta kulturore që e vendos Kosovën në hartën botërore

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar lart hapjen e Festivalit Sunny Hill në Prishtinë, duke theksuar se performanca e Dua Lipës ndriçoi jo vetëm natën, por edhe zemrat e mijëra të rinjve që ishin pjesë e ngjarjes.

“Prishtina që DUA’m! Prishtina përtej!” – shkruan Abdixhiku, duke lidhur metaforikisht emrin e këngëtares me aspiratat për një kryeqytet modern, të hapur dhe përtej të zakonshmes.

Ai e cilësoi Sunny Hill-in si më shumë se një festival: një “pasaportë kulturore për Kosovën” që e vendos vendin në skenën ndërkombëtare të artit dhe muzikës. Sipas tij, festivali bashkon të rinjtë e Kosovës dhe të botës në një ngjarje që frymëzon dhe tejkalon përditshmërinë.

Abdixhiku falënderoi Dua Lipën për dashurinë e saj të palëkundur ndaj Kosovës, përmes artit dhe angazhimit të saj të vazhdueshëm, si dhe organizatorët e Sunny Hill për sjelljen e kësaj “dritareje bote” në zemër të Prishtinës çdo vit. /Kosova.info/


Go to TOP