Apeli liron nga paraburgimi pesë policët e dyshuar për vrasjen nga pakujdesia të Agon Zejnullahut
Pesë policët e dyshuar për “Vrasjen nga pakujdesia” të Agon Zejnullahut janë liruar nga paraburgimi, me vendim të Gjykatës së Apelit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Apelit, Laureta Ulaj.
“Ju njoftojme se Gjykata e Apelit-Departamenti i Pergjithshem, i ka aprovuar ankesat e mbrojtesve se te pandehurve ne kete çeshtje penale, si dhe sipas detyres zyrtare ka ndryshuar aktvendimin e Gjykates Themelore ne Prishtine, PPr.nr.41/2025, te dates 23.07.2025, duke ua ndepritur te pandehurve masen e caktuar te paraburgimit dhe liruar menjehere te njejtit per tu mbrojtur ne liri, sot, me 31.07.2025”, ka deklaruar Ulaj.
Lënda kishte përfunduar në Apel dje.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan, më 9 korrik 2025 ua kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji pesë të dyshuarve.
Apeli e kishte anuluar më 21 korrik këtë vendim, pas ankesës së mbrojtjes së të dyshuarve.
Më 23 korrik, Gjykata ka vendosur që t’i dërgoj sërish në paraburgim pesë policët.
“CAKTOHET MASA E PARABURGIMIT në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila masë do t’iu llogaritet prej datës së ndalimit nga 07.07.2025 deri me datën 06.08.2025, thuhej në aktvendim.
Agon Zejnullahu vdiq me pranga në duar në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Zyrtarët policorë, që u prangosën, u tha se kishin intervenuar për ta neutralizuar pasi ai “dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë”, sipas Policisë.
Një rreshter dhe katër zyrtarë të tjerë policorë të përfshirë në këtë rast u arrestuan nga Inspektorati Policor i Kosovës, ndërsa rasti u cilësua si “vrasje nga pakujdesia”.
