GREEN për Drenas dhe VETËVENDOSJE! bashkohen për zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Subjekti qytetar “GREEN për Drenas” dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! do të garojnë me listë të përbashkët në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Komunën e Drenasit. Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi zyrtar nga GREEN për Drenas, duke theksuar se bashkëpunimi është arritur me qëllim të krijimit të një platforme të përbashkët për ndryshim dhe zhvillim të qëndrueshëm në komunë.

Sipas marrëveshjes, GREEN për Drenas do të mbështesë znj. Egzona Tërdevci nga VETËVENDOSJE! për postin e kryetares së Komunës së Drenasit, ndërsa përfaqësues të GREEN-it, përfshirë edhe liderin e këtij subjekti, do të jenë pjesë e listës së përbashkët për Kuvendin Komunal.

“Projektet dhe prioritetet kryesore të platformës sonë janë inkorporuar në programin e përbashkët zgjedhor, duke i dhënë këtij bashkimi një drejtim të qartë për zhvillim të qëndrueshëm, transparencë dhe përfshirje qytetare,” thuhet në njoftim.

Ky bashkëpunim është cilësuar si më shumë se një marrëveshje politike – një bashkim vlerash për një Drenas më të drejtë, më të pastër dhe më të mirë për të gjithë. Aleanca e re synon të fitojë balotazhin dhe të marrë drejtimin e komunës përmes një qeverisje të re, të bazuar në mirëqenie, barazi dhe qartësi programore.

“Forca jonë e përbashkët na bën më të përgatitur për të sjellë ndryshimin që qytetarët e Drenasit e meritojnë,” përfundon njoftimi, duke ftuar qytetarët të bashkohen në këtë rrugëtim për ndryshim të vërtetë. /Kosova.info/


Go to TOP