Avokati Artan Qerkini ligjëron në Varshavë për gjykimin e krimeve të luftës në mungesë

Me ftesë të Misionit të OSBE-së në Varshavë dhe të Ministrisë së Drejtësisë së Ukrainës, avokati i njohur kosovar Artan Qerkini do të mbajë një ligjëratë më 31 korrik 2025, për avokatët nga Ukraina me temën: “Gjykimi i rasteve për krime lufte në mungesë”.

Ligjërata vjen në kohën kur institucionet ukrainase, gjatë gjithë periudhës së luftës, kanë themeluar grupe të specializuara faktmbledhëse për dokumentimin e krimeve të luftës të kryera nga forcat ruse. Këto grupe përbëhen nga hetues, prokurorë, avokatë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut, dhe kanë për qëllim ndërtimin e bazës juridike për ndjekjen penale të autorëve të këtyre krimeve. Meqenëse shumë të dyshuar nuk janë të kapshëm nga organet e drejtësisë, Ukraina ka filluar zbatimin e gjykimeve në mungesë, në përputhje me standardet ligjore dhe parimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Avokati Artan Qerkini, i cili gëzon të drejtën përfaqësimi para Gjykatës Speciale në Hagë dhe është i vetmi që ka fituar një rast në Gjykatën Kushtetuese të kësaj gjykate, është njohës i thellë i së Drejtës Humanitare dhe të drejtave të njeriut. Ai është një figurë e respektuar në tryeza, debate dhe konferenca ndërkombëtare mbi gjykimin e krimeve të luftës.

Ky angazhim i avokatit Qerkini nga OSBE dhe Ministria e Drejtësisë së Ukrainës përbën një vlerësim të lartë për integritetin profesional të avokatëve kosovarë që kanë ndërtuar përvojë në mbrojtjen edhe të rasteve më të ndjeshme, sipas standardeve ndërkombëtare.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ku Qerkini është bashkëpunëtor dhe ligjërues, vlerëson se përvoja dhe përgatitja e tij profesionale do të jetë një ndihmesë e çmuar për avokatët ukrainas në procesin e ndërlikuar të gjykimit të krimeve të luftës në mungesë.

Ky bashkëpunim përfaqëson një mundësi të rëndësishme për forcimin e lidhjeve mes Odës së Avokatëve të Kosovës dhe asaj të Ukrainës duke hapur rrugë për shkëmbime profesionale dhe përparim të përbashkët në fushën e drejtësisë penale ndërkombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP