ATK: Mbështetje për tatimpaguesit në ekonominë digjitale

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se ka përgatitur dhe publikuar materiale të reja informuese që lidhen me trajtimin tatimor të furnizimeve elektronike, me qëllim të ofrimit të qartësive për tatimpaguesit që ushtrojnë apo planifikojnë të ushtrojnë veprimtari në mënyrë digjitale.

Materialet e publikuara përfshijnë temat:

  • Aktivitetet ekonomike që mund të zhvillohen në mënyrë elektronike;
  • Blogimi – kuptimi dhe trajtimi tatimor i të ardhurave nga kjo veprimtari;
  • Kriptomonedhat – kuptimi dhe trajtimi tatimor i të ardhurave;
  • Ofrimi i shërbimeve digjitale nga kompanitë e huaja.

Këto materiale janë të qasshme në ueb-faqen zyrtare të ATK-së, në rubrikën “Për tatimpaguesit”, nën-menynë “Furnizimet Elektronike”.

Po ashtu, ATK ka publikuar edhe një udhëzues në formë pyetje-përgjigjesh lidhur me Transferimin e Çmimit, i cili synon të ndihmojë bizneset që janë pjesë e grupeve të lidhura në transaksione ndërkombëtare. Ky material ndodhet në të njëjtën faqe, në rubrikën “Transferimi i Çmimit”.

Administrata Tatimore i inkurajon të gjithë tatimpaguesit që për çdo paqartësi të kontaktojnë përmes zyrave përkatëse të shërbimit apo në adresën elektronike [email protected], si dhe në platformën e pyetjeve të shpeshta në www.atk-ks.org.

“Me përmbushjen e detyrimeve tatimore, qytetarët kontribuojnë drejtpërdrejt në financimin e shërbimeve publike, arsimit cilësor, mirëqenies shëndetësore dhe sociale, sigurisë dhe zhvillimit të infrastrukturës. Qëllimi ynë është të rrisim përmbushjen vullnetare për një tatim të drejtë dhe të kuptueshëm,” thuhet në njoftimin e ATK-së. /Kosova.info/

Go to TOP