Drita eliminohet nga Champions League, garën e vazhdon në Europa League
Ëndrra e Dritës për një kualifikim historik në Champions League është shuar të martën mbrëma në “Fadil Vokrri”, ku skuadra nga Gjilani është mposhtur sërish nga Copenhagen, kësaj radhe me rezultat minimal 0-1.
Me këtë humbje, Drita është eliminuar nga gara më prestigjioze evropiane me rezultat të përgjithshëm 0-3, pasi ndeshjen e parë në Danimarkë e kishte humbur 2-0.
Ndeshja e kthimit është vendosur që në pjesën e parë.
Danezët kanë kaluar në epërsi në minutën e dyzet e tretë me golin e Andreas Cornelius, i cili ka realizuar me një goditje precize nga afërsia pas një krosimi të saktë. Gjyqtari portugez Miguel Nogueira e ka rishikuar aksionin për një pozicion të mundshëm jashtë loje nëpërmjet sistemit VAR, por përfundimisht e ka pranuar golin si të rregullt.
Vetëm pak minuta më herët, Drita është përballur me një tjetër goditje, kur Balaj është ndëshkuar me karton të kuq, duke e lënë skuadrën me një lojtar më pak nga minuta e njëzet e shtatë.
Pas eliminimit nga Champions League, Drita do të vazhdojë garën në Europa League, ku do të përballet me humbësin e çiftit FCSB – Shkëndija.
