Peci: Pa Qeverinë Kurti, për Mitrovicën do të flitej si për Toplicën
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka vizituar familjen e dëshmorit Agim Hajrizi në Mitrovicë duke theksuar rëndësinë historike dhe simbolike të kësaj familjeje për qytetin dhe gjithë Kosovën.
Në një postim në rrjetet sociale, Peci u shpreh se “po të mos ishte Albini me Qeveri dhe vendosmëri, për Mitrovicën edhe për pak kohë do të flitej sikur për Toplicën” duke nënkuptuar se angazhimi i qeverisë aktuale ka qenë vendimtar për ruajtjen dhe forcimin e sovranitetit në veri të vendit.
Ai tha se ndjeu nder të veçantë që vizitoi shtëpinë ku kishte jetuar dhe flijuar për Kosovën dëshmori Agim Hajrizi – një veprimtar i njohur, intelektual dhe kryesindikalist i vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“U mirëprita nga znj. Afërdita Hajrizi, bashkëshortja e dëshmorit, djali Arianiti dhe familjarë të tjerë. Në familjen Hajrizi, kujtimi dhe krenaria për sakrificën për liri marrin një kuptim të veçantë,” shkroi Peci.
Ai rikujtoi se familja Hajrizi është e dëbuar nga Toplica në vitin 1878, por e gjeti shtëpinë e saj në Mitrovicë, qytet për të cilin, sipas tij, ata janë kthyer në simbol të qëndresës dhe lirisë.
Peci theksoi se Mitrovica e sotme është e lirë falë sakrificës së familjeve si ajo e Agim Hajrizi dhe vendimeve të qeverisë aktuale që, sipas tij, ndaluan përsëritjen e fatit të Toplicës. /Kosova.info/
