Kosova vendos masa kufizuese për shkak të përhapjes së sëmundjes “Gjuha e Kaltër” te kafshët

Pas konfirmimit të rasteve të sëmundjes virale “Gjuha e Kaltër” në dy ferma – një në fshatin Marec të Komunës së Prishtinës dhe një tjetër në fshatin Brus të Komunës së Lipjanit – Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) ka ndërmarrë masa të rrepta për të parandaluar përhapjen e saj në territorin e Republikës së Kosovës.

Sëmundja, e cila prek kryesisht delet, dhitë dhe gjedhin, është virusale, nuk është ngjitëse dhe nuk transmetohet te njerëzit. Transmetimi ndodh përmes pickimeve të mushkonjave të llojit Culicoides, të cilat veprojnë si bartëse (vektorë). Tek delet sëmundja shfaq simptoma të dukshme dhe mund të shkaktojë ngordhje, ndërsa gjedhi luan rolin e rezervuarit të virusit.

Për të frenuar përhapjen e sëmundjes, AUV me Vendimin nr. 01/574/2025 të datës 29.07.2025 ka shpallur masa të përgjithshme kufizuese në të gjithë territorin e Kosovës:

Ndalimi i lëvizjes së kafshëve nga fermat dhe ndalimi i tregtimit apo shitblerjes së tyre në tregje;

Izolimi i plotë (karantinë) i fermave ku është konfirmuar sëmundja, me ndalim total të hyrje-daljeve;

Obligimi i fermerëve për të raportuar çdo ndryshim në gjendjen shëndetësore të kafshëve te veterinarët, si dhe për të zbatuar masa të biosigurisë dhe dezinsektimi për eliminimin e mushkonjave;

Përdorimi i preparateve insekticide sipas rekomandimeve të veterinarëve për të parandaluar përhapjen e sëmundjes;

Përcaktimi i lokacioneve për groposjen e kafshëve të ngordhura dhe vazhdimi i hetimeve epidemiologjike nga AUV.

Përjashtimisht, lejohet lëvizja e kafshëve të shëndetshme drejt thertoreve të licencuara, por vetëm me pëlqim paraprak nga inspektorët veterinarë të AUV-së.

Po ashtu, të gjitha tregjet e kafshëve duhet të pezullojnë menjëherë punën, ndërsa Policia e Kosovës dhe autoritetet komunale janë të obliguara të mbikëqyrin zbatimin strikt të masave në bashkëpunim me AUV-në.

Masat hynë në fuqi menjëherë nga data 29 korrik 2025 dhe do të qëndrojnë aktive deri në një vendim të ri /Kosova.info/


Go to TOP