Demi: VV po e trajton RTK-në njësoj si PDK – sulmet ndaj Blerta Foniqit janë tregues i rrënimit të vlerave
Agron Demi, analist, ka reaguar ndaj sulmeve të fundit të disa zyrtarëve të VV-së ndaj gazetares Blerta Foniqi-Kabashi të RTK-së duke e cilësuar këtë qasje si një përsëritje e praktikave të dikurshme të PDK-së ndaj televizionit publik.
Demi thekson se edhe pse për vite me radhë ishte i përjashtuar nga RTK, vetëm një gazetare kishte treguar integritet profesional duke e ftuar në emisione – dhe ajo ishte Blerta Foniqi-Kabashi. Ai vlerëson distancimin e saj nga politikat redaksionale të RTK-së dhe ruajtjen e paanshmërisë pavarësisht bllokadës.
“Çka po bën VV me televizionin publik është njësoj sikurse qasja e PDK-së me këtë medium”, shkroi Demi duke shtuar se është e dhimbshme të shohësh gra që dikur janë sulmuar, tash të kthehen në sulmuese.
Duke kritikuar edhe qëndrimin e partisë ndaj një deputeti të ri të LDK-së që po bullizohet publikisht nga figura të VV-së, Demi përfundon me një paralajmërim filozofik: “Kur shikon shumë gjatë humnerën, humnera kthehet e të shikon ty” duke sugjeruar se VV ka devijuar nga parimet që dikur e bënin të dallueshme dhe të respektuar. /Kosova.info/
