Flick thotë se synon të fitojë edhe në këtë vit
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka thënë skuadra është gati për një tjetër sezon të vështirë, duke kujtuar sfidat e vitit të kaluar.
Pas fitores 3-1 ndaj Vissel Kobe në miqësore, ai është shfaqur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës dhe veçanërisht me kontributin e lojtarëve të rinj.
“Nuk do të jetë një sezon i lehtë, por as viti i kaluar nuk ishte. Na është dashur të luftojmë për të fituar dhe do ta bëjmë përsëri këtë vit”, ka deklaruar Flick.
Trajneri e ka vlerësuar sidomos pjesën e parë të ndeshjes, duke theksuar intensitetin dhe organizimin në tridhjetë minutat e para. Sipas tij, skuadra ka humbur pak kontroll më pas, por ka rikuperuar në pjesën e dytë me një paraqitje të shkëlqyer.
Në fokus kanë qenë edhe performancat individuale, me Flick që ka veçuar disa emra nga formacioni. “Dro dhe Jofre luajtën mirë, dhe ne donim që të gjithë të kishin të paktën dyzet e pesë minuta në këmbë. Rashford, nga ana tjetër, luajti më pak sepse iu bashkua skuadrës më vonë. Gerard Martin, pas dëmtimit, pati një rikthim të mirë në fushë”, ka thënë tekniku gjerman.
Për numrin 1 që mban aktualisht portieri Joan García, trajneri gjerman ka sqaruar se bëhet fjalë për një zgjidhje të përkohshme gjatë turneut.
Flick u ndal edhe te talenti Bardghjim, i cili ka realizuar një gol në këtë takim. “Varet prej tij. Ashtu si me Joan García dhe Rashford, ai duhet të përmirësohet”, ka thënë ai.
