Ambrella Kumanovë synon tregun e Kosovës

Sot, në ambientet e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), u mirëprit z. Sami Mustafa, pronar i fabrikës Ambrella Kumanovë, prodhuesi i vetëm në Ballkanin Perëndimor i roletave nga alumini me licencë zvicerane dhe me materiale të certifikuara nga Zvicra, Gjermania dhe Italia.

Në këtë takim miqësor dhe bashkëpunues morën pjesë edhe z. Agim Shahini, kryetar i AKB-së, dhe anëtari i Bordit, z. Shkëlzen Jusaj. Ata diskutuan rreth mundësisë së zgjerimit të Ambrella në tregun e Kosovës, përmes prezantimit të produkteve ekskluzive në ndërtimet moderne në vend dhe anëtarësimit në komunitetin e AKB-së.

Z. Mustafa theksoi se produktet e Ambrella janë të nivelit të lartë evropian: “Përdorim materiale 100% të certifikuara nga Zvicra, Gjermania dhe Italia, mekanizma digjitalë të teknologjisë së fundit dhe ofrojmë garanci deri në 10 vite. Kosova është një treg gjithnjë e më interesant, sepse ndërtimi ka kaluar nga emergjenca në ekskluzivitet, me kërkesa për produkte moderne, të sigurta dhe të qëndrueshme.”

Nga ana e tij, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, shprehu mirëseardhjen dhe mbështetjen për këtë biznes serioz nga Kumanova: “AKB dhe Kosova do të jenë gjithmonë derë e hapur për prodhues që ofrojnë cilësi, inovacion dhe vizion evropian. Mirë se vini me produktet tuaja në Kosovë dhe mirë se vini në AKB!”

Ky takim shënon një tjetër hap drejt bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe promovimit të produkteve cilësore në tregun kosovar. /Kosova.info/


Go to TOP