KRU “Prishtina” apel për kursim të ujit – keqpërdorimet në nivel alarmant, furnizimi në rrezik
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka lëshuar një apel urgjent për qytetarët duke njoftuar se kapacitetet e trajtimit të ujit në Batllavë, Badoc dhe Shkabaj janë në maksimum, ndërsa konsumi dhe keqpërdorimet kanë arritur në një nivel alarmant.
Sipas njoftimit, konsumi i ujit ndodhet në “pikën e kuqe”, dhe si pasojë, zonat e larta nuk po arrijnë të furnizohen në mënyrë të rregullt. KRU “Prishtina” u bën thirrje qytetarëve në zonat e ulëta që të kursejnë ujin dhe ta shpenzojnë sa më racionalisht, për të mundësuar furnizimin e qëndrueshëm për të gjithë.
“Përndjekja e keqpërdoruesve është në intensitetin më të lartë ndonjëherë”, thuhet në reagim duke sinjalizuar masa të rrepta kundër shfrytëzimit të paligjshëm apo të pajustifikuar të ujit të pijshëm.
KRU “Prishtina” rithekson se ruajtja dhe menaxhimi i kujdesshëm i ujit është përgjegjësi e përbashkët dhe e domosdoshme për përballimin e situatës aktuale. /Kosova.info/
