Gjinushi: Domosdoshmëri, reformimi i sistemit të kërkimit shkencor

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, pas kryerjes së fazës së parë të reformës që kishte për objekt vetëreformimin e saj e të strukturave pranë saj, është angazhuar në fazën e dytë të reformës, e cila, synon reformimin e sistemit të kërkimit shkencor në vend.

Në një deklaratë për mediet, kreu i ASHSH-së, akad. Skënder Gjinushi, u shpreh se reformimi i sistemit të kërkimit shkencor është një domosdoshmëri për shkak të prapambetjes që ai ka në krahasim me Evropën por edhe me vendet e rajonit.

Gjinushi tha se, Akademia e Shkencave kontribuoi aktivisht në hartimin e ligjit për shkencën, duke e parë atë si një bazë të mirë për t’i dhënë një impuls të ri kërkimit shkencor e shkencës në tërësi, nëpërmjet një sistemi që ngrihet e funksionon sipas standardeve e parimeve të kohës.

Me këto akte është mundësia që t’u jepet zgjidhje disa prej problemeve kryesore që lidhen me kërkimin shkencor në Shqipëri siç janë: statusi e kategorizimi i punonjësve kërkimorë- shkencorë, respektimi i kodit etik në kërkim e lufta ndaj plagjiaturës; standardizimi e rankimi i instituteve e vetë kërkuesve shkencorë; financimi i kërkimit shkencor, ligjërimi i bashkëpunimit institute-shkolla të larta në projekte të përbashkëta e veçanërisht në realizimin e programeve të doktoraturës etj.

Kreu i ASHSH-së shtoi se, projekt-aktet, deri më tani, nuk i plotësojnë pritshmëritë. Ato s’duhet të jenë produkt i strukturave të dominuara nga administrata burokratike, i veprimeve të nxituara, dhe mbi të gjitha, ato duhet të tejkalojnë frymën e mosbesimit ndërinstitucional që shoqëroi ligjin për shkencën.

“Me të drejtë Kryeministri shrehu nevojën e rishikimit të Ligjit për Arsimin e Lartë, i cili, duhet të jetë në harmoni me atë të shkencës. Ligji për shkencën e ai për arsimin e lartë e ai për Akademinë e Shkencave nuk janë ligje konkuruese, por duhet të jenë komplementare e duhen trajtuar si të tillë”, theksoi akademik Gjinushi.

Gjinushi përmendi problemet e krijuara sa i përket etikës së plagjiaturës në kërkim; kategorizimi i kërkuesve shkencor zhvleftësohet e nuk jep efektin për të cilin është parashikuar në ligj; cënohet autonomia, ose krijohen shtigje keqinterpretimi për shkeljen e saj në financimin e institucioneve e të instituteve kërkimore; kompromentohet nevoja e bashkëpunimit midis instituteve dhe IAL-ve, duke u kthyer këtë bashkëpunim nga një domosdoshmëri të ligjshme, në atribut të njësive të veçanta.

Gjinushi shtoi se, koha e parashikuar në ligj, nëntor 2025, për miratimin e akteve nënligjore lejon që ato të jenë produkt i një fryme bashkëpunuese ndërinstitucionale, pa nxitim e imponim në harmoni me ligjin e qëllimin e tij, çka do të mundësohej e institucionalizohej dhe me vënien në funksionim të Këshillit Kombëtar për Shkencën e Kërkimin Shkencor, i cili ngrihet për herë të parë pikërisht për këtë qëllim. Kjo risi e ligjit kërkon që aktet, para miratimit përfundimtar, të marrin mendimin e këtij Këshilli ku janë të përfaqësuar institucionet kryesore të politikëbërjes, zhvillimit e financimit të kërkimit shkencor.

Go to TOP