Përurohet skate-parku në lagjen Kalabria – Komuna fton për përdorim të sigurt me helmetë

Në lagjen “Kalabria” të Prishtinës, është përuruar skate-parku i ri, një investim i realizuar nga Komuna e Prishtinës përmes Drejtorisë së Parqeve dhe Gjelbërimit. Në ditën e parë të hapjes, hapësira u mbush me të rinj e të reja që menjëherë e shfrytëzuan parkun për aktivitete rekreative.

Drejtori i Investimeve Kapitale në komunë, Sokol Havolli, e vlerësoi këtë projekt si “një super park” duke theksuar rëndësinë e sigurisë gjatë përdorimit.

“Veç janë duke u kënaq në ditën e parë të përurimit. Kështu që drejtoresha Çetta dhe kryetari Përparim Rama e kanë bë një super rezultat,” u shpreh Havolli duke shtuar një apel për kujdes: “Helmetat, ju lutem, gjithë t’i vendosni sa herë ta përdorni këtë hapësirë, sepse duhet të evitojmë çdo lëndim eventual.”

Skate-parku është pjesë e investimeve të vazhdueshme të komunës për të krijuar më shumë hapësira sportive e rekreative për të rinjtë duke promovuar stilin aktiv të jetesës dhe sigurinë në aktivitete urbane. /Kosova.info/

Go to TOP