Muharremi: Deri tani, vota ime shkon për Besa Shahinin – po sfidon me punë të mirë dhe vizion në Prishtinë

Analisti Shenoll Muharremi ka shprehur publikisht përkrahjen e tij për kandidaturën e Besa Shahinit në garën për Kryetare të Prishtinës duke vlerësuar lart performancën e saj në pjesën e parë të fushatës.

Në një reagim në rrjetet sociale, Muharremi tha se Shahini po tregon qartësi, angazhim dhe një qasje të strukturuar ndaj sfidave të kryeqytetit. Ai e cilësoi si “absolutisht më të mirën” deri më tani në këtë fazë të garës duke theksuar se ajo po punon me ekip dhe ka treguar përkushtim për të dëgjuar qytetarët dhe për të adresuar problemet konkrete.

“Po komunikon me lagje, familje, qytetarë e biznese. Trajton sfida të përditshme. Ka fokus në sektorë strategjikë si arsimi, shëndetësia dhe bizneset lokale”, shkroi Muharremi.

Ai vlerësoi se Shahini po përballet me një sfidë të madhe në këtë garë duke u ballafaquar me kandidatë të mbështetur nga grupe të fuqishme dhe me financime të mëdha, ndërsa vetë po zhvillon një fushatë me buxhet minimal. Megjithatë, sipas tij, ajo po dëshmon që puna cilësore dhe angazhimi mund të bëjnë diferencën.

Në fund, Muharremi shprehu interesimin për ta ndjekur më tej zhvillimin e garës duke inkurajuar Shahinin të vazhdojë me punën e mirë. /Kosova.info/

Go to TOP