Haxhiu viziton Dubravën: Rehabilitimi i dhunuesve, pjesë e qasjes kundër dhunës në familje
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me shefen e zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Mary Ann Hennessey, ka vizituar Qendrën Korrektuese të Dubravës, ku u njoh nga afër me zbatimin e Programit Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave.
Gjatë vizitës, Haxhiu u takua me stafin korrektues dhe me të dënuarit që kanë përfunduar me sukses fazën e dytë të këtij programi, i cili përmes ndërhyrjeve psiko-edukative dhe rehabilituese, synon adresimin e dhunës në familje në rrënjë.
“Së bashku me znj. Hennessey, pamë nga afër rezultatet e trajtimit të dhjetë të dënuarve për dhunë në familje, të cilët për gjashtë muaj morën pjesë në trajnime për ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme, menaxhimin e emocioneve dhe vetëdijesim mbi pasojat e dhunës”, tha ministrja.
Haxhiu theksoi rëndësinë e përfshirjes së trajtimit dhe rehabilitimit në strategjinë institucionale për luftimin e dhunës në familje duke shtuar se bashkëpunimi me Këshillin e Evropës është thelbësor për avancimin e drejtësisë rehabilituese në Kosovë. /Kosova.info/
