Avdiu për Hysenin: Politikën e ka kthyer në teatër farsë, qytetarët po votojnë krizën dhe dështimin
Aktivistja Arta Avdiu ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni duke e akuzuar se e ka humbur kontaktin me realitetin dhe po vepron jashtë interesave të qytetarëve. Ajo thotë se Hyseni nuk ka ofruar asnjë veprim konkret, por vetëm fjalë të bukura duke e kthyer politikën në një shfaqje farsë.
“Sipas mendimit tim, një njeri që merr mund edhe e voton përsëri këtë njeri, ja është i çmendur, ja është krejtësisht budallë,” shkroi Avdiu në një postim të saj. Ajo u shpreh e habitur se si në një kohë kur gjithçka është e qartë, qytetarët vazhdojnë ta mbështesin një lider që sipas saj “mashtron me premtime boshe” dhe “përqesh durimin e qytetarëve”.
Avdiu shton se mbështetja e mëtejshme për Hysenin është një provë se shoqëria nuk po kërkon më liderë, por aktorë politikë duke paralajmëruar se kjo mendësi vetëm sa thellon krizën dhe dështimin. “Nëse qytetarët vazhdojnë t’i besojnë sërish, do të thotë se ose nuk po shohin dot më larg, ose nuk duan të shohin,” theksoi ajo.
Ajo përfundon duke bërë thirrje për reflektim dhe zgjedhje më të mençura duke theksuar se në fund të fundit, përgjegjësia bie mbi secilin votues. “Të mbash në pushtet dikë që asgjë të mirë nuk ka bërë, është si të votosh për të mbajtur krizën,” përmbylli Avdiu. /Kosova.info/
