Rama shpall rikandidimin për Prishtinën, Abdixhiku i jep përkrahje publike më 24 korrik
Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, do të rikandidojë zyrtarisht për një mandat të dytë në krye të kryeqytetit. Ceremonia e shpalljes së rikandidimit të tij do të mbahet të enjten, më 24 korrik 2025, në ora 19:00, në “Amfiteatrin” pranë pishinës së Gërmisë.
Ky aktivitet i rëndësishëm politik do të organizohet nën moton “Prishtina që duam”. Në këtë ceremoni do të marrë pjesë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku duke dhënë përkrahjen e plotë për kandidaturën e Ramës dhe vazhdimin e projektit të transformimit të Prishtinës.

Përparim Rama, arkitekt me përvojë ndërkombëtare dhe figurë e njohur në jetën publike, gjatë mandatit të tij tpë parë ka drejtuar një sërë projektesh që kanë synuar modernizimin urban dhe përmirësimin e shërbimeve publike në kryeqytet. Rikandidimi i tij vjen si konfirmim i besimit të partisë dhe i pritshmërive për të çuar përpara projektet e nisura.
Ceremonia do të mbledhë anëtarë të LDK-së, përfaqësues të institucioneve, qytetarë të shumtë dhe figura publike që do të shprehin mbështetjen për Ramën në rrugëtimin e tij drejt një mandati të dytë.
LDK synon që me Përparim Ramën në krye të listës, të konsolidojë rolin e saj udhëheqës në Prishtinë dhe të forcojë ofertën e saj politike në nivel lokal. /Kosova.info/
