A është vetëm Nazim Bllaca?!

Shkruan: Zejdush KASTRATI

Kur para 16 vitesh u publikua CD-ja e parë e Nazim Bllacës në një medium nacional të Kosovës, ku flitej për vrasje me pagesë të disa figurave politike – sipas tij, të përfshira nga SHIK-u – si dhe për korrupsionin megaloman të disa liderëve kosovarë, u krijua një opinion i gjerë se ai ishte “shpëtimtari” i këtij vendi…!

Publikimi i të dhënave të nxjerra nga kompjuteri i Nazim Bllacës nga televizioni Dukagjini, konkretisht nga gazetari Ermal Panduri, duhet përshëndetur. Ky publikim ofron të dhëna me interes për publikun dhe opinionin e gjerë – një veprim që përputhet me rolin dhe misionin primar të medias dhe gazetarisë, edhe në këtë rast.

Por a ka qenë dhe a është më i dëmshëm Bllaca si spiun i UDB-së sesa shumë të tjerë që dihen me letra se kanë punuar për UDB-në apo KOS-in? Apo sesa disa të tjerë që, nën petkun e “këshilltarit” në Kryeministri, kanë vepruar me vite, ndërkohë që realisht ishin pjesë e strukturave të atyre shërbimeve? Po për disa që kanë dëshmuar nëpër gjykata kundër oficerëve shqiptarë në APJ, të akuzuar për irredentizëm e për helmim ushtarësh, e që më vonë janë pozicionuar në poste të larta? Apo edhe për disa që sot ende na mbajnë leksione nëpër studio televizive e publikisht deklarohen se kanë punuar për UDB-në, por edhe për SHIK-un?

Të gjitha këto janë fenomene që urgjentisht duhet të hulumtohen dhe t’i plasohen opinionit të gjerë, sa më shpejt dhe sa më korrekt. Përndryshe…?!

Bllaca po del të jetë spiun – gjë që është përfolur edhe më herët – por “shpirtshitës” shqiptarë të tjerë, që nuk janë më pak të dëmshëm sesa ai, ka edhe shumë. Ata sot rrinë afër liderëve aktualë, “mrizojnë”, dhe bëjnë zhurmë çdo natë nëpër studio televizive, në institucione të sigurisë, në gjyqësor, në media dhe në sfera të tjera. Jo rrallë, këta janë ata që formësojnë opinionin publik, flasin çfarë të duan, ulen në rend të parë, shajnë, ofendojnë e kritikojnë – dhe njëkohësisht kanë ndërtuar ura bashkëpunimi e komunikimi perfekt në Prishtinë, në Tiranë, në Beograd dhe në qendra të tjera të shërbimeve që e kanë Kosovën halë në sy!

Po e përsëris: mirë që gazetari Panduri zbërtheu një të vërtetë të hidhur. Por le të mbetet aty Bllaca – sepse Bllaca tashmë iku. Ai e përmbushi shumë mirë rolin që kishte nga paslufta e këndej. Një kohë u bë “hero” i Kosovës, patriot, dhe citohej me të madhe nga shumë media e madje edhe nga deputetë e zyrtarë të lartë institucionalë. Kurse tash së voni, është mirë që e gjitha u shpartallua. Por ai u sistemua në vendin që deshi, për të cilin u angazhua, dhe do ta jetojë jetën atje. Megjithatë, çka të bëjmë me shumë “Bllaca” të tjerë – më të dëmshëm, më të rrezikshëm, më perfidë – që janë kamufluar nën petkun e institucioneve, OJQ-ve, mediave e gjithandej…?!

E gjithë kjo, në Kosovën e pasluftës, vetëm sa u fuqizua dhe u “vampirizua” edhe më shumë. Ata u amnistuan nga vetë liderët tanë – madje edhe në emër të “demokratizimit” të shoqërisë kosovare dhe të “të drejtave të njeriut”, të cilat në shumicën e rasteve u keqpërdorën nga shumëkush…!

Nëse kthehemi pas, në kohën kur u publikua CD-ja e parë e Bllacës, ku flitej për vrasje me pagesë dhe korrupsion, shumë e panë atë si shpresë, si njeri që po çlironte Kosovën nga errësira…

Por, fatkeqësisht, në këtë kohë të tranzicionit – që po e quajmë të tillë – jo rrallë ndodhi që patrioti mori epitetin e tradhtarit dhe e kundërta; i ndershmi – epitetin e hajnit; i (e)moralshmi – epitetin e të pamoralshmit. Dhe kjo ndodhi për shkak të klasës sonë politike, që për pushtet dhe për para, nuk lanë gjë pa bërë. Dhe tash, së fundmi, po i bartin vetë pasojat e këtij degradimi shoqëror.


Go to TOP