Muharremi: Qeveria po shkatërron gjithçka – nga Kushtetuta te ekonomia, me shembull për brezat e ardhshëm
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar me tone të ashpra ironike ndaj zhvillimeve të fundit që lidhen me shkeljet e Ligjit për Qeverinë nga ana e ekzekutivit aktual, të cilat janë konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme. Në një postim të drejtpërdrejtë, Muharremi ironizon qasjen e qeverisë ndaj rendit kushtetues dhe institucioneve shtetërore.
“Shkëlne djem Kushtetutën, shkëlne se jeni të fortë ju. Ndoshta ChatGPT ka thënë që nuk pe shkeni, si dihet. Kështu po jepni shembull të mirë për tjerët dhe për qeveritë e brezat në ardhje”, shkruan ai me sarkazëm duke aluduar në justifikimet absurde që, sipas tij, po përdoren për të mohuar shkeljet ligjore.
Muharremi kritikon ashpër paaftësinë e qeverisë në menaxhimin e ekonomisë dhe të shtetit në përgjithësi duke thënë se e vetmja gjë që po bëjnë me sukses është shkatërrimi i institucioneve. “Pasi nuk po dini me menaxhu ekonominë e shtetin, të paktën vazhdoni me i shkatërru institucionet. Pak nga pak, pa nxitimi…”, shkruan ai duke renditur si viktima të qeverisjes aktuale: gjykatat, gazetarët dhe mediat, bizneset, energjinë, arsimin, Kushtetutën dhe institucionet publike.
Ky reagim vjen pas vendimit të Gjykatës Supreme që konstatoi se mbajtja e njëkohshme e posteve në Kuvend dhe në Qeveri përbën shkelje ligjore dhe kushtetuese. Reagime të ngjashme janë shfaqur edhe nga ekspertë të tjerë të ligjit, opozita dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët po kërkojnë përgjegjësi institucionale dhe penale për zyrtarët që, sipas tyre, kanë vepruar në kundërshtim me rendin kushtetues.
Muharremi përmbyll ironikisht me një mesazh për “brezat e ardhshëm” duke theksuar se ky është “shembulli më i mirë” që po u jepet: si të shkatërrohet një shtet me dorën e vet. /Kosova.info/
