Shukri Buja sfidon vendimin e gjykatës: Nuk ndalet kandidimi im për Lipjanin
Shukri Buja, kryetar i Degës së PDK-së në Lipjan dhe kandidat për kryetar të kësaj komune, ka reaguar pas një vendimi të Gjykatës Themelore, të cilin ai e konsideron të pabazë, qesharak dhe politik. Në një deklaratë publike drejtuar qytetarëve dhe anëtarëve të partisë së tij, Buja thekson se vendimi në fjalë nuk është i formës së prerë dhe se ai do ta sfidojë atë përmes rrugëve ligjore.
“S’ka asgjë që do ta ndalë përpjekjen time për të ndryshuar drejtimin e gabuar që ka marrë Lipjani. Tentimi për të më ndalur në rrugëtimin tim politik është i dështuar që në nisje”, deklaron Buja.
Ai kujton të kaluarën e tij si i burgosur politik në burgjet serbe, pjesëmarrës në luftë, dhe kontribuues në ndërtimin e institucioneve të Kosovës. Ai shton se edhe kur përballet me vendime të padrejta, nuk i mohon, por i sfidon me dinjitet.
“U përballa me drejtësinë serbe, me drejtësinë ndërkombëtare dhe me sfida të shumta brenda institucioneve të shtetit tonë për më shumë se dy dekada dhe nga të gjitha dola i pastër dhe fitimtar. Kjo e fundit? Një betejë e vogël, qesharake dhe e motivuar politikisht”, thotë Buja.
Ai përmbyll deklaratën duke siguruar qytetarët se do të vazhdojë garën për të udhëhequr Lipjanin dhe se asgjë nuk do ta ndalë nga ky qëllim. /Kosova.info/
