LDK zyrtarizon Shaip Surdullin kandidat për kryetar të Kamenicës, Jeton Biqkaj bartës i listës për Asamble
Në respektim të vendimit të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe pas konsultimeve të gjera me strukturat lokale, Dega e LDK-së në Kamenicë ka zyrtarizuar kandidaturat për zgjedhjet lokale të vitit 2025.
Kandidat për kryetar të Komunës së Kamenicës do të jetë z. Shaip Surdulli, një emër i njohur për përvojën dhe angazhimin e tij në jetën politike dhe institucionale. Ndërkaq, bartës i listës për Asamblenë Komunale është kryetari aktual i Degës së LDK-së në Kamenicë, z. Jeton Biqkaj.
Nga kjo parti theksohet se këto vendime pasqyrojnë unitetin dhe përkushtimin e plotë të strukturës lokale për të sjellë ndryshim dhe qeverisje të përgjegjshme në këtë komunë.
“Zgjedhjet e ardhshme janë më shumë se një garë politike. Ato janë një mundësi për qytetarët e Kamenicës që të rikthejnë dinjitetin, zhvillimin dhe perspektivën përmes një platforme të qartë, me njerëz të dëshmuar dhe me vizion, të cilin ua ofron LDK-ja,” thuhet në deklaratën zyrtare të LDK-së.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur me intensitet përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm duke u mbështetur në struktura të konsoliduara dhe në një angazhim të pakompromis për fitoren në Kamenicë. Përmes një oferte të qartë programore dhe me mbështetjen e qytetarëve, LDK synon të rikthehet si forca kryesore politike në këtë komunë. /Kosova.info/
