Zjarri në Gjirokastër vihet nën kontroll falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve
Një zjarr masiv ka përfshirë kodrën në afërsi të fshatit Palokastër në Gjirokastër.
Zjarri kishte përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të thatë, por falë veprimeve të shpejta nuk pati përhapje të mëtejshme.
Sipas njoftimit nga Drejtoria e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH), sinjalizimi është marrë pas mesnatës nga banorët e zonës, ku flakët kanë përfshirë kodrën e fshatit.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, grupi i shërbimit zjarrfikës është nisur në vendngjarje dhe ka konstatuar se flakët po përhapeshin me shpejtësi dhe po merrnin përmasa të rrezikshme.
Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të koordinuar, zjarri u vu nën kontroll pa shkaktuar dëme në njerëz apo prona.
Drejtoria MZSH Gjirokastër ka falënderuar qytetarët për njoftimin dhe bashkëpunimin, duke apeluar për kujdes të shtuar për sa i përket ndezjes së zjarreve në natyrë.
