​Osmani: Trump udhëheqës i vërtetë i ruajtjes së paqes, parandaloi përplasjen Kosovë-Serbi

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka quajtur presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Trump udhëheqës të vërtetë në ruajtjen e paqes, pasi parandaloi një përplasje për shkak të asaj që po përpiqej të bënte Serbia në kufi me Kosovën.

Osmani këto komente i bëri gjatë një diskutimi në Hudson Institute në Washington D.C, ku ka përmendur edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Osmani:Presidenti Trump e parandaloi një përplasje Kosovë-Serbi

“Administrata amerikane ka qenë, ashtu siç theksoni me të drejtë, mjaft e zëshme për rajonin tonë në javët e fundit, dhe kjo ndodhi sepse, siç deklaroi Presidenti Trump, ai e parandaloi një përshkallëzim, e parandaloi një përplasje për shkak të asaj që po përpiqej të bënte Serbia në kufi me Kosovën – por ishte roli dhe angazhimi i tij personal që e ndaloi këtë, gjë që përfaqëson një udhëheqje të vërtetë në ruajtjen e paqes, sepse paqja, siç e dimë të gjithë nga lufta në Ukrainë, nuk duhet të merret kurrë si e mirëqenë. Ajo është diçka që duhet të mbrohet vazhdimisht, që duhet të kultivohet vazhdimisht, dhe roli i Shteteve të Bashkuara në këtë përpjekje është vendimtar, është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm”, tha ajo, duke shtuar se rajoni ynë, për herë të parë në historinë e ekzistencës së tij, ka qenë në paqe gjatë 25–26 viteve të fundit.

Osmani: Paqja erdhi fal atij flamuri

“Më parë nuk e kishim njohur kurrë paqen – asnjë brez para fëmijëve tanë nuk kishte përjetuar paqe. Dhe kjo është falë asaj flamuri që është mbajtur në uniformat e burrave dhe grave trima që kanë shërbyer në Kosovë dhe në rajonin tonë dhe që prej asaj kohe kanë ruajtur paqen”, tha ajo.

Sipas Osmanit, paqja pastaj shndërrohet në një forcë shumëfishuese për ekonominë, sepse zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia janë të pamundura pa paqen si parakusht.

Ajo shtoi se Kosova është gati të anëtarësohet në NATO.

Osmani: Anëtarësimi në NATO është bërë prioritet kryesor

“Historia tregon se Rusia e zgjedh territorin jashtë NATO-s për të shkaktuar paqëndrueshmëri, tensione, destabilizim dhe në fund konflikt. Prandaj, pse të mos e parandalojmë? Pse të presim një situatë si ajo në Ukrainë e pastaj gjithçka bëhet shumë më komplekse? Është tejet e rëndësishme që të bëhemi anëtarë të NATO-s përpara, sepse kjo zvogëlon ndjeshëm mundësinë për konflikte, tensione apo destabilitet. Pra, është një përfitim i dyanshëm për çdo shtet anëtar të NATO-s që beson sinqerisht në një Evropë plotësisht të lirë dhe në liri – por kjo kurrë nuk do të realizohet vërtet pa përfshirjen e pjesës sonë të botës brenda aleancës së NATO-s. Sigurisht që anëtarësimi në Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishëm, por pas pushtimit rus të Ukrainës, për ne NATO është bërë prioriteti kryesor, prioriteti numër një. Dhe unë mendoj se nëse ka udhëheqje amerikane që dëshiron ta bëjë këtë realitet, atëherë mund të ndodhë shumë shpejt”, tha Osmani, derisa theksoi se anëtarësimi i vendit tonë do të kërkojë ratifikim nga shtetet anëtare dhe ky nuk është proces i lehtë, por beson se është i mundur.

Sipas saj, Kosova është shembulli që SHBA duhet të mburret, derisa kundërshtarët mundohen ta paraqesin SHBA si diçka shkatërruese.

Osmani:Kosova është një fitore e përkryer amerikane

“Kosova është një fitore e përkryer amerikane. Është një fitore për të cilën Shtetet e Bashkuara duhet të flasin ndërkombëtarisht në një kohë kur forcat e liga dhe kundërshtarët tuaj po përpiqen të paraqesin, e dini, Afganistanin dhe Irakun si shembuj për të thënë: ‘Shikoni, çdo gjë që prek Amerika, e shkatërron.’ Ne duhet t’i tregojmë botës se është e kundërta. Shikoni Kosovën – një demokraci e përkryer, një vend me rritjen më të lartë të PBB-së në rajon, një vend që po shërben krah për krah me Ushtrinë Amerikane në mbrojtje të paqes në vende të tjera, duke kontribuar kështu në sigurinë globale”, tha ajo. 


Go to TOP