Rafuna kritikon QKK-në dhe pushtetin aktual: Na premtuan drejtësi, por e trashën kapjen

Aktori dhe skenaristi i njohur Naser Rafuna ka reaguar ashpër ndaj Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK) dhe mënyrës se si, sipas tij, po shpërndahen fondet për filmat e metrazhit të gjatë. Në një reagim publik, Rafuna theksoi se ka aplikuar sërish këtë javë në konkursin e QKK-së me dy skenarë të rinj, por se nuk pret të fitojë duke e cilësuar procesin si të paracaktuar dhe të padrejtë.

Ai kujton se ka aplikuar edhe më herët me skenarë të nivelit ndërkombëtar, përfshirë bashkëpunime me fitues të Oscarit dhe regjisorë të njohur nga Festivali i Cannes, por asnjëherë nuk ka fituar. Rafuna kritikon shtyrjen e afateve të aplikimit duke pretenduar se kjo bëhet për të favorizuar individë të caktuar, përfshirë bashkëpunëtorë të jurisë dhe producentë që, sipas tij, duhet të fitojnë dy herë në vit.

Duke e lidhur këtë gjendje me pushtetin aktual, ai shprehet i zhgënjyer nga mungesa e ndryshimit të premtuar nga qeveria Kurti dhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. “Na premtuan çkapje, por ua lanë QKK-në atyre që e kishin kapur dhe i forcuan më shumë lidhjet e tyre,” shkruan Rafuna duke akuzuar se Ministria e Kulturës është kthyer në një “fondacion të OJQ-ve dhe kanal furnizimi për të afërmit”.

Artisti e përshkruan retorikën publike të kryeministrit Kurti si “virtuoze”, por të shkëputur nga realiteti duke përdorur një stil kritik dhe poetik për të përshkruar mungesën e thellë të drejtësisë në skenën kulturore. Ai përfundon duke thënë se nuk kërkojnë mëshirë, por vetëm drejtësi, dhe se shpresa e tij dhe e shumë artistëve të tjerë është kthyer në zhgënjim të thellë.

“Na intereson vetëm kultura, arti, teatri, filmi – posaçërisht tema e shkrimit dhe QKK-ja – dhe asgjë tjetër,” përmbyll Rafuna duke ftuar për reflektim dhe transparencë në institucionet kulturore. /Kosova.info/


Go to TOP