Serbia vazhdon ta mohojë gjenocidin në Srebrenicë
Pavarësisht se janë bërë 30 vjet e janë ofruar fakte të bollshme lidhur me gjenocidin e kryer mbi popullin boshnjak në Srebrenicë, Serbia vazhdon ta mohojë termin “gjenocid”. Por, si pushtetarët serbë nuk mendon shoqëria civile, e cila thotë se me ardhjen në pushtet të Vuçiqit veçse është rritur mohimi për këtë akt.
Tri dekada pas gjenocidit në Srebrenicë, përballja me të kaluarën në Serbi mbetet e shtyrë në margjinat e shoqërisë. Edhe pse pranohet se është kryer krim i rëndë, termi “gjenocid” vazhdon të mohohet. Shoqëria civile paralajmëron se glorifikimi i kriminelëve të dënuar dhe fshirja e kujtesës kolektive janë pjesë e një politike të institucionalizuar të mohimit.
“Me ardhjen e Vuçiqit në pushtet, është rritur mohimi i gjenocidit dhe lavdërimi i kriminelëve të luftës. Pushteti flet për ‘krim të tmerrshëm’, por refuzon termin ‘gjenocid’. Ata shfrytëzojnë narrativat e së kaluarës dhe traumat e luftës për përfitime politike dhe për të fituar vota në zgjedhje”, thekson Branimir Gjuroviq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.
Presidenti Aleksandër Vuçiq shprehu ngushëllime për viktimat duke e quajtur atë “krim të tmerrshëm”, ndërsa kryetarja e Kuvendit Ana Bërnabiq deklaroi se “nuk ka qenë gjenocid”, duke konfirmuar qëndrimin që kundërshton aktgjykimet ndërkombëtare.
Për të ndryshuar këtë, një pjesë e opozitës ka dorëzuar në Kuvendin e Serbisë një propozim për rezolutë që e njeh gjenocidin në Srebrenicë.
“Ka ardhur koha që të ndalet qasja propagandistike ndaj gjenocidit në Srebrenicë. Për atë krim duhet të flasim në mënyrë të denjë dhe të përgjegjshme, në përputhje me të vërtetën dhe faktet juridike. Nuk duhet të lejojmë që veprimet e regjimit të atëhershëm, i cili shkatërroi si Serbinë ashtu edhe rajonin, të bëhen qëndrim zyrtar i sotëm i Republikës së Serbisë”, thekson për RTK-në, Vlladimir Pajiq, deputet i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë.
Në përpjekje për të hapur çështjen e përgjegjësisë, një pjesë e deputetëve nga partitë pro-evropiane qëndruan në Srebrenicë për t’u bërë homazhe viktimave. Në Beograd u zhvillua një aksion simbolik i shoqërisë civile me sloganin “Kurrë nuk do ta harrojmë gjenocidin në Srebrenicë”, ku u kërkua që 11 korriku të shpallet Ditë Kujtimi. Pranimi i gjenocidit shihet nga një pjesë e shoqërisë si kusht për demokraci, pajtim dhe integrimin evropian të Serbisë.
