Mbi 3 mijë të rinj në konkursin për studentë në UP, bie interesimi

Në konkursin për studentë të rinj në Universitetin e Prishtinës, për 5 mijë e 723 vende, kanë kandiduar vetëm 3 mijë e 398 të rinj. Prorektorja për zhvillim institucional, Majlinda Gjelaj tha për Radio Kosovën, se për këtë rënie të interesimit, do të bëhen analiza për të parë se cilat janë nevojat për ndryshime dhe përshtatje të programeve me nevojat e tregut të punës. Ndërkohë, sot ka vazhduar provimi pranues në katër fakultete.

Shumë të rinj sot i janë nënshtruar provimit pranues në katër fakultete të Universitetit të Prishtinës: Fakultetin e Filologjisë, atë të Ekonomisë, Edukimit dhe Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Florentina Musa nga Vushtria dhe Albunit Spahiu nga Kamenica, duan të bëhen gazetarët e ardhshëm të Kosovës.

 “E kam zgjedhur Fakultetin Filologjik në degën e “Gazetarisë”. E kam zgjedhur këtë degë, pasi dua që gjithmonë e vërteta të dalë në pah. Kam pak stres, por besoj që do të kaloj”, tha  Florentina Musa.

Po ashtu Albunit Spahiu tha se ka zgjedhur degën e “Gazetarisë”.

“Sepse më pëlqen puna të merrem me njerëzit, terreni, t’i pyes, të komunikoj me ta”, shtoi ai.

Por në disa degë të këtij Universiteti, ka rënë interesimi i të rinjve për të studiuar. Në degën e Fizikës për 80 studentë, kanë aplikuar vetëm 4 kandidatë, në Kimi, për 60 studentë, kanë aplikuar vetëm 3 kandidatë, në Bilogji për 45 studentë, kanë aplikuar vetëm 4 kandidatë. Nëse në provimin pranues, kandidatët nuk e plotësojnë kriterin e pranimit, këto degë mund të mbeten pa studentë.

Por, prorektorja për zhvillim institucional në Universitetin e Prishtinës,  Majlinda Gjelaj, tha për Radio Kosovën se këto degë mund të plotësohen në afatin e dytë. Ndërkohë, për 5 mijë e 723 vende, kanë kandiduar vetëm 3 mijë e 398 të rinj. Ajo theksoi se do të bëhen analiza për të parë se cilat janë nevojat për ndryshime dhe përshtatje të programeve me nevojat e tregut të punës.

 “Të rinjtë sot janë më shumë të interesuar për profesione që kualifikohen sa më shpejtë të jetë e mundur. Kjo rënie vërehet që është si pasojë e faktorëve më të gjerë global e gjeopolitik. Nuk besoj se mund të mbesin programet pa asnjë student. Duhet të mendojmë për programe të cilat janë më atraktive në raport me nevojat e tregut të punës dhe interesimin e të rinjve për të studiuar”, ka theksuar Gjelaj.

Ndërkohë, programet më të kërkuar për të studiuar janë Inxhinieria Kompjuterike e Mjekësia. Në Inxhinieri Kompjuterike kanë aplikuar 500 kandidatë për 250 vende, ndërsa në Mjekësi për 200 vende kanë aplikuar 1 mijë kandidatë për studentë. Provimi pranues në Fakultetin e Mjekësisë do të mbahet nesër, ndërsa shpallja e rezultateve preliminare do të bëhet më 13 korrik.


Go to TOP