Prokuroria Speciale konfirmon nisjen e hetimit për procesin e ndërtimit të dy urave mbi lumin Ibër
Prokuroria Speciale ka konfirmuar për KosovaPress nisjen e hetimit të procesit të ndërtimit të dy urave të reja mbi lumin Ibër. Sipas tyre, ky hetim është në kuadër të hetimeve për kontratat njëburimore dhe nuk ka të bëjë me ndonjë kundërshtim ndaj projektit në fjalë, por me përmbushjen e obligimeve ligjore dhe mbrojtjen e interesit publik dhe sundimit të ligjit.
Qeveria e Kosovës, javën e kaluar, ka nisur ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, që bashkon Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe Mitrovicën e Veriut, të banuar me shumicë serbe.
Kontrata për ndërtimin e dy urave është dhënë përmes tenderi të negociuar, mirëpo kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se janë respektuar të gjitha ligjet në fuqi.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbënora Luta, në një përgjigje për KosovaPress, tha se kanë autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të konstatimit të drejtë të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet në lidhje me këtë rast.
“Prokuroria Speciale nuk e ka në kompetencë të vlerësojë apo të aprovojë ndonjë projekt infrastrukturor, por theksojmë se roli i PS-së është të veprojë bazuar në ligjet në fuqi, në rastet kur ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të fondeve publike. PS-ja, nëpërmjet pesë prokurorëve të angazhuar, aktualisht ka në trajtim afër 2 mijë kontrata njëburimore. Bazuar në këtë, Prokuroria Speciale ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të konstatimit të drejtë të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet lidhur me rastin, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Ky hetim nuk ka të bëjë me ndonjë kundërshtim ndaj projektit në fjalë, por me përmbushjen e obligimeve ligjore, në mbrojtje të interesit publik dhe sundimit të ligjit, në mënyrë që të garantohet një administrim i drejtë dhe ligjor i resurseve publike”, tha ajo.
