Hoti: Prizrenit i duhet një kryetar si Driton Selmanaj
Në një deklaratë publike, deputeti i LDK-së dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti ka shprehur mbështetjen e tij të fuqishme për kandidaturën e Driton Selmanajt për kryetar të Prizrenit duke e cilësuar atë si njeriun e duhur për këtë moment vendimtar për të ardhmen e qytetit.
“Prizreni ka nevojë për një udhëheqës me përvojë, maturi dhe përkushtim të vërtetë ndaj interesit publik. Driton Selmanaj është pikërisht ai profil i liderit që garanton qeverisje të ndershme, transparente dhe efektive,” tha Hoti.
Ai theksoi se përvoja e Selmanajt në institucionet qendrore dhe angazhimi i tij politik ndër vite janë dëshmi e njohjes së thellë të funksionimit të shtetit dhe nevojave të qytetarëve të Prizrenit. “Dritoni ofron një vizion të qartë për zhvillim të qëndrueshëm, mbrojtje të trashëgimisë kulturore, zhvillim të turizmit dhe nxitje të ekonomisë lokale. Prizreni nuk ka nevojë për premtime boshe, por për punë konkrete dhe rezultate të dukshme,” shtoi Hoti.
Duke përmbyllur, Hoti bëri thirrje për mbështetje të gjerë qytetare ndaj Selmanajt duke e cilësuar këtë kandidaturë si fillimin e ndryshimit që Prizreni ka nevojë. “Ky është momenti për ndryshim – dhe ndryshimi fillon me një kryetar si Dritoni. Suksese dhe të priftë e mbara!” u shpreh ai. /Kosova.info/
