LDK zyrtarizon Driton Selmanajn kandidat për Prizrenin, Abdixhiku: Prizreni s’ka nevojë për spektakël, por përkushtim

Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidatin e saj për zgjedhjet lokale në Prizren. Në një tubim të mbajtur sonte në këtë qytet historik, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, prezantoi Driton Selmanajn si kandidatin që, sipas tij, do t’i japë Prizrenit një drejtim të ri dhe të nevojshëm.

“Sonte u mbledhëm në një nga qytetet më të bukura të Kosovës, në njërin ndër më të vjetrit, më të pasurit dhe më të dashurit – në Prizren, kryeqytetin e shpirtit tonë historik”, u shpreh Abdixhiku duke e cilësuar këtë qytet si zemrën e identitetit kombëtar dhe vendin ku është thurur Lidhja që i dha popullit shpresë e rrugë drejt lirisë.

Ai tha se kandidati Driton Selmanaj vjen në këtë garë me përgatitje profesionale dhe me gatishmëri për të hapur një faqe të re në qeverisjen lokale, ku prioritet nuk do të jenë ndarjet partiake, por nevojat reale të qytetarëve.

“Qyteti ka nevojë për të rindërtuar besimin me qytetarët. Ka nevojë për shërbime publike më të mira, për infrastrukturë moderne, për investime në arsim, kulturë, turizëm e teknologji. Ka nevojë për planifikim urban që mbron trashëgiminë, por hap rrugë për të ardhmen”, tha ai.

Në qendër të vizionit të LDK-së për Prizrenin, Abdixhiku vendosi të rinjtë duke premtuar mundësi të reja punësimi, hapësira kulturore dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

“Prizreni nuk është një qytet që kërkon spektakël – por një qytet që kërkon përkushtim. Dhe këtë, Driton Selmanaj është gati ta japë,” theksoi ai.

LDK shpreson që me këtë kandidaturë të rikthejë besimin në qytetin ku historikisht ka pasur mbështetje të fortë. /Kosova.info/


Go to TOP