Muharremi: Rënia drastike e rezultateve tregon se nuk po na intereson cilësia e arsimit
Analisti Shenoll Muharremi ka ngritur alarmin për rënien e vazhdueshme të cilësisë së arsimit në Kosovë duke u bazuar në analizën e rezultateve të testeve të arritshmërisë në disa lëndë kryesore përgjatë viteve të fundit.
Ai thotë se kaloi disa orë për të shqyrtuar tendencat dhe ndryshimet në rezultatet vjetore për të kuptuar më mirë gjendjen reale në arsim dhe për të nxitur një debat publik rreth kësaj çështjeje jetike.
“Nëse këto tema nuk janë me rëndësi, cilat janë? Pa arsim cilësor nuk ka të ardhme më të mirë. Nuk ka ekonomi konkurruese, nuk ka mirëqenie, nuk ka stabilitet as paqe sociale. Krejt lidhen,” shkruan Muharremi.
Ai veçon si shqetësim të madh rënien dramatike në rezultatet e testit të gjuhës angleze, ku nga 74.10% në një vit të kaluar është rënë në vetëm 39.30%. “Rënie prej mbi 45% për pak vite. Sa mundemi me përparu në një botë të globalizuar me këtë nivel të anglishtes?”, pyet ai duke shtuar se kjo gjuhë është kyçe për eksportin e shërbimeve në ICT dhe në të ardhmen edhe në AI.
Edhe në lëndët e matematikës, kimisë dhe biologjisë, sipas tij, rezultatet janë shqetësuese, ndërkohë që përparim është parë në informatikë dhe gjeografi.
Sipas të dhënave që ai ka analizuar, rezultati i përgjithshëm i arritshmërisë ka rënë nga 57.10% në vitin 2021, në 52.10% në 2023 dhe më tej në 48.80% në vitin 2024.
Muharremi e përmbyll me një thirrje publike: “Nëse nuk kemi interes për këto tema, nuk mund të kemi një të ardhme më të mirë. Cilësia e arsimit është faktor kyç për organizimin kolektiv, menaxhimin dhe investimin e resurseve publike.” /Kosova.info/
