Arbnor Spahiu i vazhdohet paraburgimi edhe për 30 ditë
Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se Gjykata e Lartë në Suboticë ka marrë vendim për zgjatjen edhe për 30 ditë të masës së paraburgimit ndaj ish-policit Arbnor Spahiu.
Ai po mbahet në Serbi nën dyshimet për përfshirje në ngjarjet e Banjskës, ndërsa autoritetet kosovare kanë përsëritur kërkesën për lirimin e tij dhe respektimin e të drejtave të tij ligjore dhe njerëzore.
Nga MPJ thonë se përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, po vazhdon përpjekjet intensive për trajtimin e drejtë dhe adresimin institucional të rastit të arrestimit të ish-policit Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po zhvillohen përpjekje të vazhdueshme dhe intensive për të siguruar trajtim të drejtë dhe adresim institucional ndaj rastit të arrestimit të ish-policit Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe.
“Spahiu ishte arrestuar më 7 qershor 2025 dhe ndaj tij u shqiptua masa fillestare e paraburgimit më 9 qershor. Prokuroria e Lartë e Suboticës ka iniciuar procedurë penale me pretendimet për përfshirje të z. Spahiu në rastin e Banjskës, megjithatë, sipas avokatit mbrojtës, deri më tani nuk është paraqitur asnjë provë apo dëshmi e besueshme që do të rëndonte pozitën e tij ligjore. Avokati ka njoftuar se i ka dorëzuar gjykatës të gjitha dokumentet përkatëse të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe dokumentacionet që dëshmojnë se z. Spahiu e kishte lënë Policinë e Kosovës vite përpara ngjarjes së Banjskës”, njofton MPJ-ja.
Përmes njoftimit, MPJ bënë të ditur se përfaqësues të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi kanë komunikuar me familjarët e Arbnor Spahiut, përkatësisht me bashkëshorten e tij, të cilën e kanë informuar lidhur me vendimin e fundit të gjykatës për zgjatjen e paraburgimit.
Sipas njoftimit, familjarët planifikojnë ta vizitojnë Spahiun më 10 korrik në Suboticë, ndërsa gjatë rrugës do të ndalen në Beograd për një takim me përfaqësues të Zyrës Ndërlidhëse.
“Përfaqësues të Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi kanë komunikuar me familjarët e z. Spahiu, përkatësisht me bashkëshorten e tij, të cilën e kanë informuar për vendimin e fundit të gjykatës. Familjarët kanë bërë të ditur se nesër, më 10 korrik, do të udhëtojnë drejt Suboticës për ta vizituar z. Spahiu, ndërsa do të ndalen edhe në Beograd për një takim me përfaqësues të Zyrës. Duke marrë parasysh vendimin për vazhdimin e paraburgimit, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të paraqesë kërkesë formale për lejimin e vizitës tek z. Spahiu, miratimi i të cilës pritet të bëhet brenda kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme”, thuhet në njoftim.
Spahiu është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus. /Kosova.info/
