Lila: Deputetët që po reflektojnë, duhet të veprojnë
Deputetja nga radhët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, u ka bërë thirrje deputetëve nga partitë e opozitës së deritanishme, që të marrin pjesë në votimin për komisionin verifikues për zgjedhjen e kryeparlamentarit, në formë të fshehtë.
Kusari-Lila, e cila është edhe kryetare e Alternativës, tha se të gjithë deputetët, përfshirë edhe deputetin e AAK-së, Bekë Berisha, i cili ka deklaruar se do të votonte secilin kandidat për kryetar nga radhët e LVV-së, duhet ta përkthejnë këtë qëndrim në veprim konkret në legjislativ.
Duke hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës, në përpjekjen e 44-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë, ajo tha se LVV-ja dhe lideri i saj Albin Kurti kanë bërë vazhdimisht kompromise dhe kanë ofruar zgjidhje për krizën institucionale në Kosovë.
Sipas saj, këto oferta po refuzohen nga partitë e tjera në Kuvend.
Kusari-Lila: Deputetët e opozitës që po reflektojnë duhet të veprojnë
“Deri tani, e vetmja palë që ka bërë oferta ka qenë kryeministri Kurti. Mbetet të shihet nëse do të ketë vullnet për të shqyrtuar çfarëdo lëvizje tjetër. Më e thjeshta që mund të ndodhë është të marrin pjesë në votim dhe të tejkalohet ky ngërç. Të gjithë deputetët që po reflektojnë pozitivisht dhe që janë të bindur se kryeparlamentari i takon LVV-së, dhe se situata duhet të zhbllokohet, duhet ta përkthejnë atë retorikë në veprim konkret në Kuvend”, tha ajo.
Ndërsa kanë mbetur më pak se 15 ditë nga afati i përcaktuar prej 30 ditësh nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, Kusari-Lila përsëriti se është një situatë e paparashikueshme se çfarë mund të ndodhë nëse nuk zgjidhen trupat e Kuvendit deri atëherë.
