Policia e Kosovës, përmes këtij njoftimi zyrtar informon opinionin lidhur me rastin e ndodhur në Lipjan
Më 7 korrik 2025, rreth orës 00:12 pas mesnate, Policia e Kosovës ka pranuar gjashtë thirrje telefonike nga qytetarët për një person me sjellje agresive dhe të rrezikshme për kalimtarët dhe për veten. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan, ku raportimet tregonin se personi në fjalë po sulmonte qytetarët, po ndiqte automjetet dhe po përpiqej të hynte në to me forcë.
Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të neutralizuar situatën dhe parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të rrezikut. Edhe në prani të zyrtarëve policorë, personi ka vazhduar me sjellje agresive dhe ka bërë rezistencë aktive ndaj arrestimit. Për t’i vënë situatës nën kontroll, zyrtarët kanë përdorur sprej policor në vetëmbrojtje.
Policia njofton se paraprakisht, për rreth 5-6 minuta, ka pasur përpjekje për komunikim dhe negociim me personin për ta bindur që të shoqërohej vullnetarisht në stacion. Gjatë kësaj kohe, mbikëqyrësi i ndërrimit ka kontaktuar shërbimin emergjent për ndihmë mjekësore duke vlerësuar se gjendja shëndetësore dhe psikologjike e të dyshuarit ishte e rënduar. Personi ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por është arrestuar nga zyrtarët policorë.
Vetëm tre minuta pas thirrjes, autoambulanca me ekipin mjekësor ka arritur në vendin e ngjarjes, por ka konstatuar se personi kishte ndërruar jetë. Në vendngjarje janë gjetur gjësende personale dhe një substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike, e cila është dërguar për ekzaminim.
Sipas procedurës ligjore, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë hetimore, prokurori për krime të rënda dhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK). Policia njofton se janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, përfshirë sigurimin e provave materiale, intervistimin e dëshmitarëve dhe analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë, të cilat janë ndarë me IPK-në dhe Prokurorinë.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ndërkohë, me rekomandim të IPK-së, janë suspenduar katër zyrtarë policorë dhe një rreshter. Pas intervistimit dhe rikualifikimit të veprës, të njëjtit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Policia e Kosovës deklaron se është në bashkëpunim të ngushtë me institucionet kompetente për zbardhjen e plotë të rastit dhe se epilogu do të merret pas përfundimit të hetimeve dhe pranimit të raportit të obduksionit.
Institucioni i policisë rithekson përkushtimin për të vepruar në përputhje me detyrat dhe obligimet ligjore, në shërbim të qytetarëve. /Kosova.info/
