Promovohet libri “Dëshmitar i gjenocidit në Srebrenicë”
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në promovimin e librit “Dëshmitar i gjenocidit në Srebrenicë”, të autorit Mevludin Hrnjiq, imam nga Bosnja & Hercegovina.
Duke kujtuar këtë plagë të hapur të Evropës, kryeministri tha se me këtë ngjarje po dëshmojmë se kujtesa është akt rezistence, dhe se fjala e shkruar, betim për të mos harruar. Ndërsa, për librin me titull “Dëshmitar i gjenocidit të Srebrenicës”, tha se është gur kujtese mbi një plagë që ende kullon, është zëri i një njeriu që mbijetoi për të treguar, për të kujtuar ata që nuk mundën. Dhe sot, ai zë po flet edhe në gjuhën shqipe, që kujtimi të marrë zemër edhe në vendin tonë.
“Z. Hrnjiq, pranoni mirënjohjen tonë më të thellë për kurajën tuaj për të shkruar këtë libër, për të sjellë zërin e Srebrenicës deri këtu, pranë nesh. Mirësevini në Kosovë, një vend që e kupton dhe e ndjen dhimbjen tuaj si të vetën. Sepse në heshtjen pas një gjenocidi, çdo fjalë që tregon të vërtetën është dritë që ndriçon kujtesën tonë kolektive”, tha kryeministri Kurti.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti ka kujtuar korrikun e vitit 1995, ku nën komandën e Ratko Mlladiqit, forcat serbe vranë 8372 burra dhe djem boshnjakë. Ai tha se kjo është shumë se masakër, ishte përpjekje për të zhdukur një popull, një kulturë, një frymë. Ishte gjenocid. Dhe gjenocidi në Srebrenicë është krim që i përket gjithë njerëzimit, dhimbje që nuk njeh kufij dhe përgjegjësi që nuk mund të harrohet.
Kryeministri shtoi se në Kosovë, çdo korrik, e kujtojmë Srebrenicën si plagë që flet edhe për ne, sepse sikur boshnjakët, edhe shqiptarët e Kosovës përjetuan në të njëjtën dekadë egërsinë e mizorinë e të njëjtit regjim, të njëjtën përpjekje për fshirje, të njëjtin krim që merr emrin më të rëndë që njeh historia: gjenocid.
“Duke njohur vuajtjet e popullit boshnjak, në vitin 2021, Kuvendi i Republikës sonë miratoi një rezolutë që e dënon gjenocidin në Srebrenicë, ndërkaq vitin e kaluar, në mbledhjen e 212-të Qeverisë së Kosovës, e shpallëm 11 korrikun Ditë Memoriale në përkujtim të gjenocidit të Srebrenicës. Vit pas viti, përpiqemi të mbajmë gjallë kujtimin, jo vetëm si një detyrë politike, por si një borxh njerëzor”, tha ai, duke shtuar se adresa e këtij krimi nuk mund të ndalet në Bosnje dhe Hercegovinë, ngase fillet e tij çojnë në Beograd, në zemrën e një politike shtetërore që mbolli urrejtje dhe vdekje.
Në përfundim, kryeministri tha se çdo dëshmitar si z. Hrnjiq, çdo libër si ky që kemi sot në dorë, është dëshmi që duhet respektuar dhe afirmuar, sepse kujtimi është rruga drejt drejtësisë dhe drejtësia është rruga drejt paqes së vërtetë. /Kosova.info/
