Hapet thirrja për propozime për edicionin e 98-të të çmimeve OSCARS

Qendra Kinematografike e Kosovës përmes një njoftimi ka ftuar të gjithë personat e interesuar të dërgojnë propozime për kandidaturat që do të konsiderohen për çmimet e Akademisë OSCAR, në kategorinë e filmit ndërkombëtar/gjuhë të huaj. Filmi i përzgjedhur do të përfaqësojë Kosovën në edicionin e 98-të të Academy Awards.

Në këtë kategori përfshihen filmat e metrazhit të gjatë artistik, dokumentarë dhe të animuar më të gjatë se 40 minuta, që janë shfaqur/do të shfaqen në kinema apo platformë VOD, për më së paku 7 ditë radhazi, jo më herët se 1 tetor 2024 dhe jo më vonë se 30 shtator 2025.

“Gjatë periudhës kualifikuese dhe gjatë shfaqjes në kinema, filmi duhet të reklamohet dhe shfrytëzohet në atë mënyrë që konsiderohet normale dhe e zakonshme me praktikat e shpërndarjes së filmave të dedikuar për shfaqje të parë në kinema (theatrical release). Filmat të cilët, në një formë apo tjetrën, realizojnë shfaqje publike jo në kinema dhe shpërndarje para shfaqjes kualifikuese, nuk do të merren në konsideratë për çmimet OSCAR”, thuhet në njoftimin e QKK-së.

Shfaqje publike jashtë kinemave konsiderohen të jenë (por jo të kufizuara në): transmetimi dhe televizioni kabllor, PPV/VOD, shpërndarje DVD, shpërndarje gjatë fluturimeve ajrore, transmetime në internet etj, ka sqaruar tutje QKK.


Go to TOP