Alarm nga Komuna: Buxheti i Kryeqytetit i bllokuar, rrezikohen shërbimet jetike për qytetarët
Komuna e Prishtinës ka lëshuar një reagim të ashpër dhe të drejtpërdrejtë ndaj bllokadës së zgjatur të buxhetit duke e cilësuar situatën si jo-njerëzore, të rrezikshme dhe thellësisht të padrejtë për qytetarët e Kryeqytetit.
Prej më shumë se gjashtë muajsh, Prishtina funksionon pa buxhet aktiv, gjë që ka lënë pasoja të rënda në të gjitha nivelet e shërbimeve publike.
Çerdhet dhe kopshtet publike janë në pamundësi për të siguruar ushqim për fëmijët.
Programet sociale janë bllokuar plotësisht – ndihmat për familjet në nevojë, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, artistët dhe sportistët janë ndërprerë.
Shërbimet shëndetësore, transporti publik dhe arsimi parashkollor po përballen me kolaps për shkak të mungesës së fondeve.
Komuna e akuzon pushtetin qendror për një bllokadë të qëllimshme dhe të motivuar politikisht, e cila po ndëshkon qytetarët vetëm sepse Prishtina nuk qeveriset nga strukturat e tyre politike.
Janë bllokuar jo vetëm mjetet nga buxheti qendror, por edhe të hyrat vetanake të Komunës, të mbledhura nga vetë qytetarët – një veprim i paprecedent që përfaqëson një shkelje flagrante të autonomisë lokale dhe të të drejtave të qytetarëve për shërbime bazë.
“Kjo nuk është më çështje politike – është një hakmarrje ndaj qytetarëve, një ndëshkim institucional për një qytet të tërë. Nuk do të lejojmë që interesat elektorale të shkelin mbi mirëqenien e qytetarëve,” thuhet në reagim.
Komuna e Prishtinës njofton se për të tretën herë i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, me kërkesën që të zbatojë Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2025 dhe të ofrojë një zgjidhje urgjente, e jo të prodhojë pengesa të reja.
“Ne do të përdorim çdo mjet ligjor dhe institucional për ta mbrojtur qytetarin nga kjo padrejtësi e pashembullt,” përfundon reagimi.
Ky nuk është vetëm një detyrim institucional – është një detyrim moral ndaj çdo qytetari të Kryeqytetit.
#MosMaBllokoPrishtinën
#QytetariNukËshtëPeng /Kosova.info/
