Policia e Prishtinës realizon 164 urdhëresa dhe sekuestron armë e municione
Zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës kanë vazhduar me intensitet të lartë aktivitetet e tyre operacionale gjatë javës së kaluar, duke realizuar një sërë aksionesh në fusha të ndryshme të sigurisë.
Sipas njoftimit zyrtar, në lokacione të ndryshme janë ekzekutuar gjithsej 164 urdhëresa të gjykatës, prej të cilave 45 kanë qenë për vepra penale, ndërsa pjesa tjetër lidhej me kundërvajtje, seanca, verifikime dhe çështje të tjera ligjore. Personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjoba janë liruar pas përmbushjes së obligimeve.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, policia ka ndërmarrë edhe veprime në sektorin e sigurisë publike, ku janë sekuestruar 16 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe qindra fishekë.
Po ashtu, Policia e Prishtinës ka qenë aktive edhe në kontrollin e trafikut rrugor, ku për periudhën e njëjtë janë shqiptuar 4211 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, duke përfshirë 934 gjoba të identifikuara nga veturat inteligjente dhe ato me radar mobil.
Autoritetet policore kanë theksuar se këto aktivitete do të vazhdojnë me qëllim të përmirësimit të sigurisë publike dhe rritjes së zbatimit të ligjit në të gjitha nivelet.
