Rama: Po i kthejmë qytetarëve hapësirat publike, u mbyllen disa parkingje ilegale në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot për mbylljen e disa parkingjeve ilegale në kryeqytet, të cilat për vite me radhë kishin uzurpuar hapësira publike dhe pengonin lëvizjen e lirë të qytetarëve.

“Sot kemi ndërmarrë veprime konkrete duke mbyllur disa parkingje ilegale që për vite me radhë kanë bllokuar lëvizjen e lirë në kryeqytet”, tha Rama duke theksuar se qytetari është prioriteti kryesor i qeverisjes lokale.

Kreu i Komunës theksoi se çdo hapësirë publike e uzurpuar do të lirohet, në mënyrë që qytetarët të kenë qasje të lirë dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre në qytetin e tyre.

“Po ua kthejmë qytetarëve hapësirat publike! Çdo hapësirë e uzurpuar po lirohet në mënyrë që qytetarët të kenë qasje të lirë dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre në qytetin e tyre”, shtoi ai.

Ky veprim është pjesë e një fushate më të gjerë të Komunës së Prishtinës për lirimin e hapësirave publike, përmirësimin e qasjes dhe krijimin e një mjedisi më të drejtë e të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët. /Kosova.info/

Go to TOP