Hamiti: LDK-ja do ta rikthejë besimin e qytetarëve të Podujevës – Ekrem Hyseni zyrtarizohet kandidat për kryetar

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti, ka marrë pjesë të mërkurën në një takim me anëtarët dhe strukturat e Degës së LDK-së në Podujevë.

Gjatë këtij takimi, dega e LDK-së në Llap e zyrtarizoi kandidaturën e kryetarit të saj, Dr. Ekrem Hysenit, për postin e kryetarit të Komunës së Podujevës në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Muhamet Hamiti u shpreh i bindur se qytetarët e Podujevës do t’ia japin sërish besimin LDK-së, duke theksuar nevojën për një qeverisje të përgjegjshme dhe të orientuar drejt interesit publik.

“LDK-ja do ta rikthejë besimin e qytetarëve të Podujevës”, deklaroi Hamiti.

Ai i uroi suksese Dr. Ekrem Hysenit, të cilin e quajti kryetarin e ardhshëm të Podujevës, si dhe të gjithë kandidatëve të LDK-së për Kuvendin Komunal.

Zyrtarizimi i kandidaturës së Hysenit përfaqëson një moment të rëndësishëm për përgatitjet e LDK-së në këtë komunë dhe sinjalizon përkushtimin e saj për të rikthyer qeverisjen lokale në duart e kësaj partie. /Kosova.info/


Go to TOP