​Një objekt afarist përfshihet nga flakët në Zonën Industriale në Prishtinë

Një zjarr i madh ka shpërthyer sonte rreth orës 20:00 në objektin e një kompanie në zonën industriale të Prishtinës. Lajmi është konfirmuar për RTKlive nga zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Ai ka thënë se menjëherë pas raportimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa ekipet e zjarrfikësve janë angazhuar intensivisht për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit.

“Sipas informacioneve fillestare, dëmet materiale janë të konsiderueshme, ndërkaq nuk raportohet për persona të lënduar”, ka thënë Borovci.

Tutje Borovci ka bërë të ditur se Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan në shpërthimin e zjarrit, teksa në vendin e ngjarjes është ftuar edhe zyrtari për hetimin e shkaqeve të zjarrit.

Për shkak të situatës, Policia e Kosovës ka bërë thirrje për qytetarët që të shmangin lëvizjet në afërsi të zonës industriale, për të garantuar sigurinë e tyre dhe për të mos penguar punën e ekipeve emergjente.


Go to TOP