Rama viziton çerdhen e re në lagjen Medrese: Një hapësirë moderne për 120 fëmijë

Një hapësirë e re edukative po merr formë në lagjen Medrese të Prishtinës, ku ndërtimi i çerdhes së re po ecën me ritme të shpejta. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar sot punimet në këtë objekt, i cili po ndërtohet afër Shkollës së Gjelbër dhe do të ofrojë kushte moderne për edukim dhe përkujdesje të hershme për 120 fëmijë.

Çerdhja do të ketë një sipërfaqe prej 1,550 metra katrorë dhe është e dizajnuar me ambiente të sigurta, të ngrohta dhe të përshtatshme për zhvillimin e fëmijëve. Sipas planifikimeve aktuale, objekti pritet të përfundojë në muajin tetor të këtij viti.

Kryetari Rama theksoi se ky investim përfaqëson një lehtësim të madh për familjet e lagjes dhe një hap konkret drejt përmirësimit të infrastrukturës arsimore në qytet. Ai e quajti çerdhen një investim të qëndrueshëm për të ardhmen e Prishtinës duke shtuar se ndërtimi i hapësirave të tilla është thelbësor për edukimin cilësor dhe zhvillimin e hershëm të fëmijëve.

Ky projekt është pjesë e investimeve strategjike të Qeverisë dhe Komunës për të zgjeruar dhe përmirësuar qasjen në arsimin parashkollor në Prishtinë. /Kosova.info/

Go to TOP