Baraliu ironizon Kurtin: Krahasime me Hungarinë e Rusinë, jo shembuj të demokracisë – mungesë e logjikës politike dhe matematikore
Juristi dhe ligjëruesi universitar, Bleron Baraliu, ka reaguar me ironi ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se “populli të voton kur je më i drejti” duke aluduar në mbështetjen që ka marrë nga qytetarët në zgjedhje. Baraliu ka përkujtuar se edhe koalicioni PAN në vitin 2017 kishte marrë 39% të votave duke nënkuptuar se vetë përqindja e votave nuk garanton drejtësi, vlera apo legjitimitet moral.
Ai gjithashtu ka komentuar një deklaratë të Kurtit ku ky i fundit kërkoi shembuj ku një parti e vetme ka më shumë vota se partia e dytë dhe e tretë bashkë. Kur u përball me demantime konkrete që e rrëzonin këtë pretendim, Kurti përmendi si shembuj Hungarinë, Azerbajxhanin, Rusinë dhe Serbinë – vende që shpesh kritikohen për mungesë të demokracisë funksionale.
Baraliu ironizoi duke thënë se këto janë “shembuj qesharakë” dhe theksoi se deklaratat e tilla janë pjesë e propagandës politike që ndërtohet mbi aksioma të pavërteta. Sipas tij, këto deklarata nuk vetëm që nuk qëndrojnë logjikisht, por dëshmojnë edhe “ngathtësinë e Kurtit në matematikë”.
Ky reagim është një ndër të shumtit që kanë pasuar daljet publike të Kurtit, ku kritikohet për përdorimin e narrativave që më shumë synojnë manipulimin emocional të votuesve sesa sqarimin racional të realitetit politik. /Kosova.info/
