Abdixhiku: Tuneli i Kurrizit – nga terri në model të rigjenerimit urban
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përuruar sonte bashkë me qytetarët e lagjes Dardania projektin e përfunduar të Tunelit të Kurrizit në Prishtinë duke e quajtur një shembull të rigjenerimit urban dhe model për gjithë Kosovën.
“Kurrizi i Prishtinës. Pamje e re, model i ri. Shembull për të gjithë,” shkroi Abdixhiku duke theksuar se kjo hapësirë ikonike ka kaluar nga një tunel i mbuluar nga errësira, kundërmimi dhe frika, në një prej zonave më të bukura publike në vend.
Ai lavdëroi punën e Kryetarit Përparim Rama dhe ekipit të tij komunal duke shtuar se kur nuk pengohen, ata arrijnë të krijojnë projekte që shërbejnë si model për qytetin dhe komunitetin.
“LDK, me njerëzit më profesionistë, do t’i japë Prishtinës gjithë potencialin që ka. Do të punohet në çdo anë,” premtoi Abdixhiku.
Në fund, ai theksoi se Prishtina duhet të dashurohet e të shërbehet, e jo vetëm të lakmohet. /Kosova.info/
