Kelmendi reagon ndaj deklaratës së Kurtit: Me këtë logjikë, edhe Vuçiqi del më i miri!
Gazetari dhe analisti Adriatik Kelmendi ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili, duke komentuar pozicionin politik të partisë së tij në Kosovë, tha se “partia e parë është më e mirë dhe më e drejtë sesa partia e dytë dhe e tretë bashkë, andaj merr më shumë vota nga populli”. Sipas Kurtit, një fenomen i tillë ndodh vetëm në Kosovë dhe Shqipëri.
Kelmendi e ka kundërshtuar këtë logjikë duke e konsideruar të rrezikshme dhe të gabuar. Ai theksoi se njësoj ka ndodhur edhe në Serbi, ku partia e presidentit Aleksandar Vuçiq – SNS – ka fituar shpesh më shumë vota sesa partia e dytë dhe e tretë së bashku.
“A është Aleksandar Vuçiqi më i miri dhe më i drejti? Me logjikën e Albinit – po. Me logjikën e shumicës së shqiptarëve – jo!”, shkroi Kelmendi në reagimin e tij.
Ai ngriti dyshime mbi arsyet e kësaj deklarate të Kurtit, duke pyetur nëse bëhet fjalë për naivitet, mosdije apo një tentativë për të “pastruar” figurën e Vuçiqit, duke e krahasuar atë me shembuj politikë në rajon.
“Cilado që të jetë, është argument i paqëndrueshëm”, përfundon Kelmendi. /Kosova.info/
