Demaj: Koalicioni me VV-në mund ta shpëtojë LDK-në nga kriza e brendshme politike

Analisti politik Emanuel Demaj ka deklaruar në emisionin “Click” në RTV21 se një koalicion ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV) do të mund të ndikonte në qetësimin e situatës politike dhe në tejkalimin e krizës së brendshme në LDK.

Sipas Demajt, një bashkëpunim i tillë do t’i krijonte LDK-së kohë dhe hapësirë për të reflektuar mbi problemet e saj të brendshme, për të evidentuar dobësitë dhe për të nisur një proces të ristrukturimit të partisë.

“LDK-në mund ta shpëtojë një koalicion me VV-në nga kriza e brendshme politike. Një marrëveshje e tillë do ta qetësonte situatën dhe do t’i jepte partisë kohën e nevojshme për t’u marrë me problemet e saj të brendshme dhe për t’u ristrukturuar”, ka thënë Demaj.

Ai ka vlerësuar gjithashtu se, nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, subjekti politik që mund të goditet më së rëndi do të ishte pikërisht LDK-ja, për shkak të periudhës së vështirë nëpër të cilën, sipas tij, po kalon kjo parti.

Demaj ka theksuar se arritja e një marrëveshjeje politike do të mund ta shmangte një përballje të menjëhershme zgjedhore, të cilën ai e konsideron si një rrezik serioz për LDK-në.

“LDK-ja po kalon një periudhë jashtëzakonisht të rëndë. Pikërisht një koalicion do të mund të ishte një lloj shpëtimi për të, duke e shmangur vendin nga zgjedhjet dhe LDK-në nga një katastrofë e mundshme zgjedhore, e cila mund të ishte ndër më të rëndat në historinë e saj”, është shprehur Demaj.

Sipas tij, uniteti brenda LDK-së dhe arritja e një marrëveshjeje të favorshme do të mund të qetësonin situatën, ndërsa pas kësaj, partia do të duhej të hapte një proces të brendshëm zgjedhor për të krijuar struktura të reja dhe për të reformuar organizimin e saj.

Demaj ka paralajmëruar se çdo kalkulim tjetër politik, sipas tij, mund të ketë pasoja të rënda për LDK-në.

“Çdo matematikë tjetër politike mund ta ndëshkojë LDK-në”, ka deklaruar analisti Emanuel Demaj në emisionin “Click” në RTV21.

Go to TOP