Halimi: Orkestra e Prishtinës, një hap i ri për shpirtin kulturor të kryeqytetit

Prishtina ka marrë një tjetër hap të rëndësishëm drejt pasurimit kulturor me inaugurimin e Orkestrës së Prishtinës – një formacion i ri artistik që, sipas drejtoreshës së Kulturës, Sibel Halimi, mishëron vizionin për një kryeqytet më të ndjeshëm ndaj artit dhe më të lidhur me botën.

“Orkestra e Prishtinës nuk është thjesht një bashkim muzikantësh të talentuar, por një trupë që do t’i japë ritëm jetës sonë publike,” tha Halimi gjatë ceremonisë së inaugurimit. Ajo shtoi se ky formacion do të ndërtojë ura mes brezash dhe komunitetesh, duke e vendosur Prishtinën përkrah qyteteve që e kuptojnë thellësisht rolin e kulturës në zhvillimin shoqëror.

Halimi vlerësoi mbështetjen institucionale dhe entuziazmin e artistëve si thelbësore për këtë projekt, duke e cilësuar orkestrën si një mundësi për ta bërë kulturën pjesë të përditshme të jetës qytetare.

“Është një ogur i mirë për të ardhmen artistike të kryeqytetit,” theksoi ajo. /Kosova.info/


Go to TOP